DY DITARË prezanton historinë e Vjosa Shalës (l.1977), një vajze që rritet në Kosovë në fund të viteve 80-të dhe 90-të për të jetuar dhe dokumentuar forma të shpresës, ambicies, frikës, humbjes, shtypjes sistematike, protestave, dhunës, festave, dhe punk-ut, që shënojnë historinë e saj dhe vendit të saj.
____
Gjatë viteve të tetëdhjeta u shfaq një valë ultranacionaliste në Beogradin e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, i cili dëshironte ta mbizotëronte sistemin politik jugosllav, me Kosovën si pikë simbolike të fokusit të tij. Nga fundi i viteve tetëdhjeta, përderisa u shtua kontrolli i Serbisë mbi Kosovën, u shtuan edhe trazirat dhe kundërshtimi ndaj tij. Grevat e minatorëve në Trepçë frymëzuan protesta në mbarë vendin, të cilat hasën në masa gjithnjë e më të dhunshme dhe vdekjeprurëse. Aneksimi i Kosovës u bë i plotë kur Beogradi mori kontroll të drejtpërdrejtë mbi sigurinë në vend, pasi e kishte bërë të njëjtën gjë me sistemin politik dhe arsimor, si dhe me mediat në gjuhën shqipe.
Një grevë e përgjithshme njëzetekatërorëshe u thirr dhe u vëzhgua, ndërsa, brenda disa ditëve, pjesëmarrësit e saj u përjashtuan nga vendet e tyre të punës, shumica nga ta për të mos iu kthyer më kurrë profesioneve të tyre. Gjithnjë e më shumë, siç vërehet shpesh në regjimet shtypëse, e vetmja gjë që dukej se funksiononte ishte forca e shtetit dhe efikasiteti i arrestimit arbitrar, ndalimit, torturës, zhdukjes, vrasjes dhe frikësimit të përditshëm të shqiptarëve të Kosovës. Në pranverën e vitit 1998, e tërë bota u bë dëshmitare e luftës së fundit evropiane të shekullit të njëzetë.
Realitete, paralele dhe që ndeshen me njëra tjetrën, vëllime intime, por edhe publike dhe të folura, janë mbledhur dhe ngjitur me njëra tjetrën për ta sjellë në dritë një kronologji alternative të kësaj lufte. Pjesë e ditarëve janë listat e personave të zhdukur, artikujt e prerë të intelektualëve në të cilët raportohet për brutalitetin e policisë, protestat, kryengritjet, sulmet policore, masakrat, artin dhe performancat e vetë Locës.
Sado që këta ditarë janë dëshmi e rritjes së një gruaje të re, ato janë një bashkëdyzim i privates dhe publikes — një dokumentim personal i kontekstit të përditshëm socio-politik, një koleksion i ngjarjeve kryesore dhe një përvojë surrealiste e rritjes në një sistem opresiv.
Duke i hapur revistat për publikun dhe duke ftuar shkrimtarë, akademikë, gazetarë, muzikantë dhe profesionistë të tjerë të artit për të komentuar për to, tërhiqen paralele për ta lidhur përmbajtjen e tyre me një kontekst më të gjerë të kohës dhe vendit. Rezultat i kësaj është një shfaqje që tregon se sa thellë është e ndërthurur privatja me publiken dhe sa domethënës është ky ndikim.
Ju do të hasni në ngjarje të paorkestruara të luftës dhe terrorit, të gërshetuara me sinjale të mekura të shpresës dhe rinisë, të sjella përmes fletushkave të partive në hije dhe ngjarjeve që kanë ndodhur në vorbullën e luftës/në pikë të ditës për t'iu shmangur orës policore gjatë luftës.
Komentuesit e parë të platformës DY DITARË janë: Elida Ramadani, Rina Krasniqi, Sezgin Boynik, Shkelzen Maliqi, Toton Pllana, Vjosa Musliu. Materiali i tyre me komente e lanson një punë në progres që synon të lidhet me artistë, kolektive, hulumtues, arkivistë dhe punonjës të kulturës.
Na shkruani në research@twojournals.com me ide për punët që do të marrin informata nga ky arkiv apo do të frymëzohen nga ai.
____
DY DITARË nga Vjosa Shala, LOCA, është projekt në zhvillim e sipër nga Nita Deda, që synon të lidhet me artistë, kolektive, hulumtues, arkivistë dhe punëtorë të kulturës, duke propozuar punë të reja për të cilat informata do të merren nga materiali apo të cilat do të frymëzohen nga ky material.
Kjo platformë është zhvilluar si pjesë e platformës Heritage Space, e cila zbatohet nga CHwB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze.
DY DITARË është mentoruar nga Era Krasniqi.
___
EKIPI
Nita Deda - Kryesuese e Projektit
Rina Meta - Editore e platformës online
Christof Nüssli - Dizajn Grafik
Leart Rama - Video
Blerim Rracaj - Fotografi
Bardha Meta - Transkripte
My Translation Centre - Përkthime
Platforma online e dizajnuar dhe zhvilluar nga No Plans
Ditarët, si dhe fotografitë dhe fletushkat e tjera të kohëve që paraqiten në këtë platformë do të redaktohen dhe botohen si libra në bashkëpunim me Christof Nüssli dhe Christoph Oeschger / cpress.ch dhe Andrrat Moderne.
Falënderime të veçanta për Adrian Berishën dhe Arjona Caraku nga Komuna e Prishtinës, Dafina Morinën dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, Blerta Ismailin, Anyla Dautajn, Dardan Zhegrovën nga CHwB, Urtina Hoxhën, Elvira Thaçin, Gazmend Nimanin, Leart Ramën, Asllan Islamin, Skender Xhukolli, Dritëro Krasniqi, Klubin M, Bardha Metën, Besa Haziri Bajgorën dhe Ryan Sullivan për ndihmën në realizimin e materialeve promovuese dhe organizimin teknik të eventit lansues.